Paulo Fonseca ka folur në konferencë për shtyp siç bën zakonisht para ndeshjeve të fundjavës. Kësaj radhe ai përgëzoi edhe qasjen e Edon Zhegrovës, për të cilin deklaroi se ka ndryshuar për të mirë.
Lille është në kokëçarje pasi sulmuesi anësor, Adama Ounas, u lëndua rëndë javën e kaluar në ndeshjen kundër Troyes. Lëndim i cili pritet ta lërë ish-yllin e Napolit jashtë fushës së blertë për muaj të tërë.
Lojtari favorit për ta zëvendësuar atë është pikërisht përfaqësuesi kosovar, Edon Zhegrova. Trajneri Fonseca u shpreh i lumtur me atë çfarë dëshmoi në ndeshjen e fundit kur u inkuadrua, duke e përshëndetur edhe ndryshimin që ka bërë në mënyrën e tij të luajturit.
“Edoni ka luajtur shumë në ndeshjen e fundit. Sot, është një lojtar më bashkëpunues. Punon më shumë për skuadrën”, tha ai.
Fonseca mendon që 23-vjeçari kosovar duhet të vazhdojë akoma që të përmirësohet. Margjinë përmirësimi tek ai sheh në fazën mbrojtëse.
“Duhet akoma ta përmirësojë fazën mbrojtëse, por jam shumë i lumtur me mënyrën se si luan Edoni”, u shpreh ai.
Vetë Zhegrova dje në një intervistë që dha për gazetën lokale “Le 11 Lillois”, ai komentoi rrjedhën e këtij sezoni, duke treguar edhe se është i lumtur të jetë pjesë e një klubi të tillë. Megjithatë, ai tha se fizikisht i nevojitet që të bëjë progres, kurse mos të zhbllokuarit akoma sa i përket golave të shënimit në këtë sezon e vlerësoi si një mëkat.
“Punoj fort çdo ditë. Kemi një trajner shumë të mirë. Jemi duke u përmirësuar në shumë gjëra. Posaçërisht në aspektin mbrojtës. Më duhet akoma që të përmirësohem vetë fizikisht. Çdo lojtar përmirësohet ditë pas dite”, tha ai.
Kujtojmë se sulmuesi prishtinas akoma nuk ka gjetur rrugën e golit në këtë sezon. Këtë gjë e quajti një mëkat të madh, sepse në shumë raste i është afruar shënimit, por është treguar i pafat.