Ish-mesfushori i Kosovës, Enis Alushi, ka thënë se lojtarët duhet ta pranojnë kritikën dhe ta kuptojnë se me paraqitje si ndaj Andorrës, nuk mjafton për t’u kualifikuar në Evropian.
Ai ka thënë se barazimi 1:1 ndaj Andorrës në “Fadil Vokrri” të martën mbrëma, është dëshpërim. Për Kosovën ishte barazimi i dytë në kuadër të grupit I të kualifikimeve për “Euro 2024” që mbahet vitin e ardhshëm në Gjermani.
“Rezultati ndaj Izraelit ka qenë plotësisht në rregull. Izraeli ka qenë dominues dhe luajti vendas. Të dy ekipet i shoh pak a shumë në nivelin e njëjtë, prandaj edhe e arsyetoj barazimin. Por, barazimi me Andorrën është dëshpërim i madh. Nëse nuk jemi në gjendje ta mposhtim Andorrën, nuk kemi nevojë të flasim për ambicie të ndryshme. Lojtarët duhet ta pranojnë kritikën dhe duhet ta dinë vet që paraqitja të martën nuk mjafton. Çfarë lloj reagimi pritet pas një ndeshje si kjo? Është krejt normale që ka kritika negative dhe dëshpërim. Pjesa më problematike e jona është mesfusha. Aty nuk i kemi lojtarët e nivelit të mbrojtjes dhe të sulmit ose të krahut”, ka thënë Alushi për KOHËN.