Interesimi i skuadrave të vendeve të huaja për futbollistët e Superligës së Kosovës viteve të fundit është rritur jashtëzakonisht shumë, sidomos pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA. Pothuajse çdo vit ndonjë futbollist nga ekipet kosovare po largohet për të vazhduar karrierën në nivele më të larta. Rasti i fundit ishte i Ermal Krasniqit që u transferua nga Ballkani te CFR Cluj, shkruan Gazeta Metro.
Rreth kësaj çështje në një prononcim për Gazeta Metro analisti i mirënjohur, Genc Sermaxhaj ka thënë se janë disa arsye që po i shtyjnë ekipet e huaja të shprehin interesim për futbollistët kosovarë.
Sipas tij paraqitjet e mira të Kombëtares së Kosovës, klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare, çmimet e lira të lojtarëve dhe pranimi në FIFA dhe UEFA janë faktorët kyç.
”Ka disa arsye përse disa nga ekipet evropiane shfaqin interesim për lojtarët tanë. Njëra mund të jetë paraqitjet e mira të përfaqësueses së Kosovës si referencë e mirë e ekipeve për të peshkuar edhe në ligën tonë. Pastaj paraqitjet e mira në garat evropiane ndër arsyet kryesore sepse tani po i shohin lojtarët dhe paraqitjet e tyre. Mbase kjo është më kryesore sepse po i shohin nga afër dhe vërtet në aspektin individual paraqitjet e tyre kanë qenë shumë të mira.”
”Gjithashtu çmimet e lira të lojtarëve tanë mund të jetë një arsye tjetër. Deri tani mundësia për transferimet e lojtarëve nga liga e Kosovës është më e mundshme pasi Kosova është pranuar në FIFA dhe UEFA. Dhe kjo gjë me lojtarët tanë nuk kishte ndodhur më parë kaq lehtë. Tani çdo gjë është më e lehtë,” tha ai për Gazeta Metro.
Tutje, ish-futbollisti i Dritës dhe Gjilanit mendon se përmirësimi i kushteve në të gjitha aspektet ka ndikuar edhe te lojtarët. Tani, siç thotë Sermaxhaj ”lojtarët po bëjnë jetë paksa më sportive”.
”Në fakt ka përmirësime në futbollin e Kosovës sa i përket aspektit individual të lojtarëve. Dhe me përmirësimin e kushteve sidomos atyre financiare, lojtarët po bëjnë jetë paksa më sportive dhe bashkë me punën që bëjnë në terrenet sportive është ky rezultat pozitiv,” tha ai.
Përndryshe, nga transferimet jashtë vendit nuk po përfitojnë vetëm futbollistët të cilëve po ju hapen mundësitë për një të ardhme më të mirë, por edhe vetë klubet.
Nga shitja e Ermal Krasniqit Ballkani fitoi 300 mijë euro dhe mbajti 15% të kartonit të sulmuesit anësor.
Ndërkaq, largimi i tij nga futbolli i Kosovës me shumë gjasë nuk do të jetë i fundit për këtë vit. Gazeta Metro ditë më parë raportoi se te klubi i Ballkanit mund të largohen edhe dy yjet e tjerë të skuadrës.
Kujtojmë se gjatë vitit 2022 nga elita e futbollit kosovar u larguan edhe dy anësorët tjerë, Valmir Veliu dhe Arbnor Muja.
Veliu u transferua për shumën e 180 mijë eurove te Gaziantep në Turqi nga Llapi e cila mbajti 15% të kartonit, kurse Muja tek Antwerp nga Drita për 200 mijë euro teksa edhe ‘Intelektualët’ mbajtën 20% të kartonit. /gazetametro.net