Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se skuadra e tij ka bërë pjesë të parë të mrekullueshme kundër Prishtinës.
Megjithatë, barazimi i rezultatit për të është shumë i mirëseardhur. Prishtina dhe Ballkani barazuan me rezultatin 2:2 në xhiron e 23-të të Superligës së Kosovës në futboll.
“Kemi bërë një pjesë të parë të mrekullueshme. Kemi pasur disa situata për të shënuar e për të kaluar në avantazh. Kemi bërë një gabim në ndërtim nga poshtë dhe më pas kemi pasur momente hezitimi. Më vonë gjatë lojës, ekipet u hapën të dyja, dhe që të dyja ekipet tentuan të bënin gjithçka. Ashtu siç shkoi loja, duhet të jemi të kënaqur edhe me këtë rezultat”, tha fillimisht Daja.
Daja tha se loja e Ballkanit nuk ra, por ndikoi në aspektin psikologjik goli i parë i shënuar nga Prishtina.
“Të bësh një pjesë të parë si ajo dhe të marrësh gol në pjesën e dytë na bëri të hyjmë në panik, e më pas morëm edhe golin e dytë. Duke kërkuar me dozë emocionale barazimin e rezultatit, mendoj që e prishëm lojën tonë. Reaguam ndoshta jo me futboll, por me dëshirën për ta dërguar lojën aty ku donim të paktën për rezultatin. Në fund fare, morëm atë që gatuam vetë dhe që bëmë keq në pjesën e dytë”, është shprehur ai. Në ndeshjen e ardhshme, Ballkani luan në shtëpi kundër Dritës. Është derbi i dy skuadrave lidere në tabelën e elitës së futbollit kosovar. Për Dajën, ai takim nuk do ta vendos kampionatin. “Do ta përgatisim ndeshjen mirë me Dritën. Jemi ne favoritët, jemi në fushën tonë dhe jemi me dy pikë diferencë. Presionin më të madh e ka Drita dhe jo ne. Kemi kontingjentin e duhur për të marrë pikët. Futbolli i ka të tri rezultatet brenda. Nuk vendos loja me Dritën se kush do të dalë kampion. Ka edhe shumë ndeshje tjera”, deklaroi Daja./koha