Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, tha se skuadra kampione në fuqi e Kosovës e ka kontrolluar lojën të dielën, kur Ballkani barazoi në udhëtim te Ferizaj në kuadër të xhiros së 26-të. Ferizaj e Ballkani u ndanë baras, pa gola.
“Mendoj që pavarësisht se nuk shkuam te fitorja, kontrolluam lojën dhe pothuajse e kishim nën kontroll. Kishim rastet para portës. Pas ngërçit në lojë, mendoj që sot jemi rikthyer. Mungesat janë të rëndësishme, por lojtarët që u inkuadruan, justifikuan besimin. Ishim në ekuilibër. Kundërshtari u mbrojt mirë. Po të shfrytëzonim rastet, mund edhe të shkonim drejt marrjes së fitores”, tha fillimisht trajneri i Ballkanit. Ballkanit në këtë duel i munguan portieri Stivi Frashëri, Lumbardh Dellova e Nazmi Gripshi.
Daja foli edhe për mungesat që kishte.
“Natyrshëm që po të ishin këta, do të kishim tre forca më shumë. Ju thashë që edhe lojtarët që u aktivizuan sot, besoj që e kanë justifikuar atë lloj besimi që kemi ne për këta lojtarë të rinj. Kemi dy javë pushim dhe uroj që lojtarët e lënduar të mund të kthehen. Do të vazhdojmë të luftojmë me këtë lloj kontingjenti, me apo pa ata lojtarë”, përfundoi Daja.