Futbollisti me prejardhje shqiptare, Andi Zeqiri ka pësuar sot, një lëndim të rëndë me Baselin në Superligën e Zvicrës.
Ai u detyrua ta lërë fushën qysh në pjesën e parë, teksa u largua me ndihmën e barelës.
Zeqiri ishte i ftuar nga Kombëtarja e Zvicrës për sfidat ndaj Bjellorusisë dhe Izraelit, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian që do të mbahet në Gjermani në vitin 2024.
Ai nuk pritet të jetë në Serbi, ku Bjellorusia do ta zhvillojë ndeshjen në Novi Sad, më 25 mars.
Në mesin e ftuarve nga radhët e shqiptarëve nuk do të jetë as Xherdan Shaqiri, i cili ka pësuar një lëndim.
Në njoftimin e lëshuar nga Federata e Futbollit e Zvicrës, është thënë se lojtari në fjalë nuk do të zëvendësohet, teksa arsyeja e mungesës është shkaku i një dëmtimi muskulor.
Kështu i vetmi shqiptar që do të jetë në Serbi do të jetë Granit Xhaka, i cili është duke kaluar nëpër një formë fantastike me Arsenalin, ku sot shënoi një tjetër gol, i cili është i katërti këtë sezon në Premier League. /Klankosova.tv.