Tirana iu fal tregolëshit të Florent Hasanit për të mposhtur 3-1 Erzenin. Kampionët siguruan tri pikë me vlera për objektivin titull dhe ndajnë kreun e renditjes me Partizanin me nga 47 pikë.
Demat kryesojnë për shkak të avantazhit në ndeshjet direkte. Golat ishin ruajtur për në pjesën e dytë. Hasani zhbllokoi sfidën me kokë në minutën e 48’.
Erzeni reagoi dhe riktheu baraspeshën falë golit të Enck (72’). Braziliani kërceu më lart se të gjithë dhe shënoi një gol të bukur me kokë. Festa shijakase zgjati fare pak, pasi Hasani riktheu bardheblutë e Orges Shehit në avantazh (75’).
26-vjeçari nga Vushtrria gjeti edhe golin e tretë personal në minutën e fundit. Hasani kryeson i vetëm renditjen e golashënuesve në Superiore me 14 rrjeta.
Fundi i kësaj ndeshjeje solli edhe përfundimin e fazës së tretë në Abissnet Superiore.