Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino ka thënë nevojitet më shumë futboll, pasi u rizgjodh president deri në vitin 2027.
Shtëpia e futbollit botëror ka njoftuar këtë javë një Kupë të Botës të zgjeruar duke e shtuar numrin e ndeshjeve nga 64 në 104.
Zgjerimi i kalendarit të futbollit është kritikuar nga sindikata e lojtarëve dhe LaLiga.
“Kur dëgjoj se ka shumë futboll, po, ka ndoshta në disa vende, por jo kudo. Në fakt në shumicën e pjesëve në botë nuk luhet mjaftueshëm futboll. Ne kemi nevojë për më shumë e jo më pak gara, duam që futbolli të zhvillohet në mbarë botën”, tha Infantino gjatë Kongresit të FIFA-s pasi iu besua një mandat tjetër katërvjeçar.
“Ne jemi duke diskutuar për ta organizuar një Kupë Bote për Klube për Gra dhe një Seri Botërore të FIFA-s në mars çdo dy vite, kur skuadrat janë të lira nga ndeshjet kualifikuese.”
Kupa e Botës 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, do të jetë me numër të shtuar të skuadrave nga 32 në 48.
Turneu do t’i ketë 104 ndeshje, e jo 80 sa parashihej, pasi FIFA ndryshoi formatin e propozuar prej 16 grupesh me tre ekipe, në 12 grupe me nga katër ekipe. Ekipet duhet t’i luajnë tetë ndeshje për të fituar turneun, krahasuar me 7 si në Kupën e Botës 2022.
Kupa e Botës për Klube me 32 ekipe do të zhvillohet çdo katër vite nga qershori i 2025.
Sindikata e lojtarëve Fifpro dhe Shoqata e Futbollistëve Profesionistë kanë ngritur shqetësime në lidhje me kërkesat ndaj lojtarëve, ndërsa LaLiga tha që planet e FIFA-s kanë shfaqur një “mospërfillje të plotë” për komunitetin e futbollit.
Sipas Infantinos është e nevojshme të vendoset një kufi pagash në futboll.
“Mund të jetë e nevojshme të vendoset një kufi, ne duhet të mendojmë se si mund ta bëjmë këtë. Ne do të shikojmë me të gjitha palët e interesuara dhe do të shohim se çfarë mund të bëjmë.”
Duke folur për futbollin e grave në fjalët e tij përmbyllëse, Infantino tha se shuma e përgjithshme e shpërblimeve me parave për Kupën e Botës për Gra 2023 do të jetë 150 milionë dollarë krahasuar me 15 milionë dollarë sa ishte në vitin 2015.
Kupa e Botës për burra vitin e kaluar në Katar kishte një shumë të përgjithshme prej 440 milionë dollarësh.
“Misioni ynë do të ketë barazi në pagesa për Kupat e Botës 2026 për burra dhe 2027 për gra” tha Infantino
Gjatë kohës se Infantinos në krye, FIFA ka kërkuar organizimin e Kupës se Botës çdo dy vite në një koncept që është përballur me kritika nga federatat, ligat dhe lojtarët.
Pati gjithashtu polemika në Kupën e Botës 2022 në Katar, pasi përgatitjet për këtë turne u mbizotëruan nga keqtrajtimi i punëtorëve emigrantë nga ky vend, si dhe nga qëndrimi i tij ndaj marrëdhënieve të së njëjtës gjini, dhe të drejtave të njeriut.
Shumë vende evropiane planifikuan të mbanin shiritin ONELOVE (NJËDASHURI) gjatë ndeshjeve për të promovuar diversitetin por nuk e bënë këtë për shkak të sanksioneve të mundshme nga FIFA.
“Është një nder i madh, një privilegj dhe mundësi e mirë “ tha Infantino për rizgjedhjen.
“Unë premtoj t’i shërbej FIFA-s dhe futbollit në të gjithë botën. Për ata që i dua e di që janë shumë, dhe për ata që më urrejnë… Ju dua të gjithëve”, ishte përmbyllja e fjalimit të Infantinos./Orselina Lazraj