Interpoli ka publikuar në të përjavshmen e saj “Integrity in Sport” e cila monitoron zhvillimet kryesore në korrupsionin në sport në mbarë botën. Në raportin e saj publikuar sot përmenden edhe trukimet në futbollin kosovar.
“Një skandal me trukime ndeshjesh trondit turneun e kampionatit të futbollit të Kosovës. Bastorët ishin të vendosur si në Kosovë ashtu edhe në Francë dhe aktiviteti i tyre i organizuar kriminal ishte hetuar për gati një vit”, thuhet në raportin e Interpolit.
Përpos trukimeve në Kosovë, Interpoli ka publikuar edhe hetimet që janë duke u zhvilluar edhe në shtet tjera si në Izrael, Spanjë dhe Gjermani.
Gazeta e madhe franceze, Le Parisien, kishte shkruar se Llapi i Podujevës është ekipi i dyshuar për kurdisje të rezultatit të ndeshjeve në Superligën e Kosovës në futboll.
Sipas Le Parisien, rrjeti i të përfshirëve është i madh, ndërsa janë edhe anëtarë të stafit drejtues dhe teknik të Llapit, si dhe disa lojtarë të kësaj skuadre.
Një nga ndeshjet që po hetohet për trukim është ajo mes Llapit dhe Feronikelit që kishte përfunduar me rezultat, 4:2.
Lidhur me dyshimet për trukimin e ndeshjeve, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka filluar hetimet.
“Duke u nisur nga shkrimet e publikuara ditëve të fundit në portalet vendore, lidhur me rastet e kurdisjeve të ndeshjeve futbollistike kosovare, Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se, është duke i trajtuar këto raste, andaj për shkak të integritetit të procesit në të cilën gjenden, nuk mund të japim detaje të tjera për opinionin e gjerë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë./paparaci