Kosova dje filloi ciklin e kualifikimeve për Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
“Dardanët” ndeshjen e parë e kishin në udhëtim ndaj Izraelit ku barazuan në “Bloomfield Stadium” me rezultat 1-1.
Kosova ishte e para në avantazh pas autogolit të Dasa i cili topin e kthyer nga Rashica drejt Muriqit e devijoi në portën e tij në minutën e 36’të. Mirëpo në pjesën e dytë Izraeli barazoi shifrat me golin e Peretz. Rashica kishte rastin e artë që në sekondat e fundit t’i siguronte tre pikët e plota, por në rast ballë për ballë me portierin nuk arriti ta dërgoi topin në portë.
Ish lojtari i Izraelit tashmë gazetar dhe komentator i sportit, Ori Uzan në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport‘ tha se rezultati ishte i drejtë duke e parë rrjedhën e lojës.
“Mendoj se ishte një rezultat i drejtë. Në pjesën e parë, Izraeli luajti më mirë dhe pranoi golin nga një gabim i madh në mbrojtje. Në pjesën e dytë, sidomos pas barazimit të Peretz, loja ishte e barabartë dhe në fund Rashica pati një mundësi të madhe“, tha ai.
Uzan tha se fansat dhe njohësit e futbollit atje nuk janë të kënaqur nga barazimi me Kosovën pasi izraelitët kanë pritur fitore në shtëpi.
“Tifozët izraelitë nuk janë të lumtur. Pas një kampanje të mirë në Ligën e Kombeve dhe formës së mirë të Solomon te Fulham, tifozët izraelitë prisin një fitore. Rezultati dhe mënyra se si stafi menaxhon lojën, ka krijuar shumë kritika te tifozët dhe mediat sportive këtu“, shtoi Uzan.
Sipas tij Kosova dhe Izraeli do të luftojnë për vendin e dytë duke mos e përjashtuar kështu as Rumaninë.
“Unë mendoj se Izraeli, Kosova dhe Rumania do të luftojnë për vendin e dytë. Zvicra është 2 nivele mbi grupin, Andora me shumë gjasa do të humbasë nga të tre në shtëpi dhe jashtë, Bjellorusia mund të pezullohet në prill, por edhe nëse jo shanset që ata të marrin pikë nga këto tre kombëtare janë të pakta. Kështu që mendoj se ndeshjet mes 3 skuadrave do të vendosin se kush do të përfundojë i dyti. Në këtë aspekt, rezultati i djeshëm i Kosovës ishte shumë i vlefshëm për ju“, përfundoi Uzan për GazetaBlic Sport.