Kombëtarja e Kosovës e fillon sonte fazën kualifikuese për ‘Euro 2024‘.
“Dardanët” do të përballen me kombëtaren e Izraelit, me ndeshjen që luhet në ora 18:00, shkruan GazetaBlic Sport.
Kosova ka zbarkuar ditën e djeshme në Izrael dhe gjithashtu ka kryer stërvitjen e fundit para ndeshjes që luhet sonte në “Bloomfield Stadium”.
Trajneri i njohur kosovar, Gani Sejdiu tha për ‘GazetaBlic Sport‘ se ka ardhur koha që të realizohen aspiratat tona në aspketin ndrkombëtar, duke besuar se kualifikimi është një opsion real.
“Mendoj se ka ardhur koha të besojmë realisht në realizimin e aspiratave të kombetarës sonë, që është kualifikimi, sepse janë disa faktorë që na bëjnë të besojmë. Njëri prej tyre është se tani jemi në një situatë më të favorshme se në të kaluarën, sepse tashmë kemi krijuar përvojën e duhur për këto gara, e cila na ka munguar në të kaluarën dhe që tani jemi shumë më të pjekur dhe kemi më shumë përvojë. Ne kemi poashtu cilësinë e duhur për këtë dhe që lojtarët tanë janë në momentin optimal të formës së tyre në klubet përkatëse , e cila mendoj se do të na shërbejë shumë“, tha fillimisht Sejdiu.
Më pas, trajneri i njohur kosovar tha poashtu se fati është shumë i rëndësishëm në këto gara, duke besuar që do të ketë një rezultat pozitiv sonte.
“Fati është gjithashtu i rëndësishëm, sidomos në takimin e parë kundër Izraelit dhe besoj se mund të kalojmë mirë, sepse do të ishte shumë i rëndësishëm për të ardhmen, për shkak të moralit dhe vetëbesimit. Uroj që pritshmëritë tona të realizohen, por edhe nëse jo, të paktën të shohim progres në rritjen e kombëtares që do të na shërbejë për të ardhmen. Në të gjitha rastet mbështetja jonë duhet të jetë maksimale për lojtarët tanë.“, përfundoi Sejdiu.