Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ish Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur sot në Frontal të T7 në lidhje me gjestin e Granit Xhakës gjatë ndeshjes kundër Serbisë në Katari 2022.
Granit Xhaka në një moment kishte kapur organet gjenitale duke ju drejtuar bankës rezervë të Serbisë, një gjest që ishte quajtur “gjest rrugaqi” nga analistja dhe aktivistja për të drejtat gjinore në Kosovë, Zana Avdiu.
Për, Lutfi Hazirin kjo gjë është e natyrshme, sidomos kur vjen nga një futbollist që është lider i klubit të tij.
“Temperamenti i tij nuk ka qenë vetëm ndeshja me Serbinë në kampionat. Ka qenë i natyrshëm reagimi i tij, reagimi i një lojtari i cili është lider i një klubi. Me Granitin mua me lidh edhe Arsenali, përfundimisht, mbi të gjitha Arsenali, pra jo vetëm Zvicra por edhe Arsenali – unë jam fans i Arsenalit tash e 35 vite”, ka thënë fillimisht nënkryetari i LDK-së.
Sipas tij, të tilla reagime të Granitit shihen gati në çdo ndeshje në Angli.
“Pra, ju e keni parë edhe reagimin e tij në raport me Tottenhamin, nuk e lënë ekipin e tij në baltë. Është kulturë e ndërtuar e një djali në një familje shqiptare, familje që është e edukuar”, tha ai.
Në fund ai ka bërë edhe dallimin që ka Xhaka me Xherdan Shaqirin.
“Kështu që ai, edhe në raport me Serbinë, edhe në raport me të tjerët ai reagon në mbrojtje të ekipit. Edhe Xherdan Shaqiri nëse e sheh reagimin e tij, edhe ai e bën njëjtë, por me kulturë të Anamoravës, ndikimi i tij apo reagimi i tij është më i butë sepse vjen nga ky regjion”, ka përfunduar ai në emisionin Frontal të Arsim Lanit në T7. /GazetaExpress/