Ndeshja derbi e fundjavës mes Llapit dhe Ballkanit ishte mjaft e komentuar, jo veç për lojën brenda fushës, por edhe për ngjarjet e tmerrshme që ndodhën nga tifozët mysafirë pas përfundimit të ballafaqimit.
Tifozët e Ballkanit, “Xhebrailat” të cilët udhëtuan në Podujevë për të përkrahur ekipin e tyre të zemrës, ishin mjaft të nervozuar pas ndeshjes dhe filluan të thyejnë karriget e stadiumit.
Ata thyen dhjetëra ulëse dhe i hodhën ato në drejtim të vendasve dhe jashtë stadiumit, duke rrezikuar qytetarët. Poashtu kishte edhe 22 tifozë të arrestuar nga Policia e Kosovës pas këtyre ngjarjeve të tmerrshme.
Tifozët e Ballkanit shkaktuan dëme të mëdha materiale në stadium, megjithatë KF Llapi ka reaguar shpejtë duke intervenuar të paktën me ulëset që ishin të dëmtuara.
GazetaBlic Sport ka siguruar fotografi nga stadiumi “Zahir Pajaziti”, ku shihet se ulëset e dëmtuara janë riparuar menjëherë me karrige, të cilat janë rikthyer në vend.
Kjo ka ndodhur para ndeshjes së nesërme që skuadra e Llapit e luan ndaj Malishevës nga ora 13:00 në çerekfinalen e Kupës së Kosovës në futboll.