Trajneri i Galatasaray, Okan Buruk, mbrëmë vendosi mos të luajë nga minuta e parë me Nicolo Zaniolon dhe Milot Rashicën. Dyshja kur u inkuadrua solli freski në fushë dhe falë kombinimit mes tyre gjiganti turk mposhti me rezultat 1-0 Kasimpasa, transmeton Gazeta Metro.
Në kolumnet e tyre të zakonshme këtë e kanë komentuar dy gazetarët turk, Levent Tuzemen dhe Osman Senher.
Që të dy thurën elozhe për paraqitjen e yllit italian, i cili u transferua në janar nga Roma për shumën e 16.5 milionë eurove.
Pasimin e Rashicës në minutën e 57’të ku pastaj erdhi edhe goli i Zaniolos, Osman Senher e konsideroi të mrekullueshëm.
”Me asistimin e shkëlqyer të Rashicës, Zaniolo e dërgoi topin në rrjetë me një vend po aq të bukur. Ylli italian shënoi në ndeshjen e tij të parë zyrtare si dhe në ndeshjet miqësore. Ai nuk është mjaft i gatshëm për momentin, por është një yll vërtet i madh,” shkroi ai për ‘Miliyet’.
Në anën tjetër, sipas Levent Tuzemen ishte Zaniolo ai që me pasimet e tij ndihmoi anësorin e Kombëtares së Kosovës dhe mbrojtësin e krahut të djathtë, Sacha Boey të bënin paraqitje të mirë.
”Sa herë që Zaniolo kapte topin në këmbët e tij, bënte pasime efektive për shokët e skuadrës, ndihmoi Rashicën dhe Sacha Boey të luanin mirë. Ai i solli pasur sulmuese Galatasaray. E ndryshoi rrjedhojën e ndeshjes, pasi niste sulmet e Galatasaray,” shkroi ai për ‘Sabah’.
Rashica në 16 paraqitje në elitën e futbollit turk ka shënuar një gol dhe ka dhënë katër asistime. Ai ka pasur luhatje të formës gjatë këtij sezoni, duke mos qenë gjithmonë në nivelin e duhur.
Megjithatë, siç kanë raportuar mediumet turke kohëve të fundit Galatasaray e ka ndarë mendjen që ta transferojë në mënyrë permanente nga Norwich City.
Siç është thënë skuadra e udhëhequr nga Okan Bukur ka në plan të bëjë ofertën prej pesë milionë eurove për futbollistin kosovar.
Galatasaray është në rrugë të mirë për t’u shpallur kampion i Turqisë pas katër viteve, pasi që gjenden në vendin e parë me 60 pikë nëntë më shumë se Fenerbahce e cila ka një ndeshje më pak.