Ish-mesfushori i Tiranës, Elis Bakaj, i cili jeton në Rumani tash e një kohë, ka folur rreth Ermal Krasniqit për mediat rumune.
Bakaj është zhvendosur për të jetuar në Rumani. 35-vjeçari është intervistuar nga mediumi rumun “Sport” ku ka folur rreth sulmuesit malishevas, shkruan Futbollikosovar.net.
Për çudi ai e ka quajtur edhe problem Kosovën duke dhënë komentin e tij për kombëtaren e Shqipërisë.
“Kemi edhe problemin e Kosovës, ku shumica e lojtarëve është me origjinë shqiptare dhe mund të luajë edhe me Shqipërinë. Ermal Krasniqi është shqiptar i Kosovës, por ka zgjedhur të luajë për Kosovën”, tha ai.
Kujtojmë se 24-vjeçari deri tani ka shënuar 4 gola në kampionat për skuadrën e Cluj dhe ka qenë gjithmonë ai që ka bërë dallimin prej që është transferuar në ekipin e udhëhequr nga Petrescu.