Mallorca nuk do të mundë të llogaritë në shërbimet e Vedat Muriqit për ndeshjen e ardhshme kundër Real Sociedatit në La Liga, kosovarit që praktikisht është përgjegjës për gjysmën e golave të shënuara nga e tërë skuadra e tij këtë sezon.
Përfaqësuesi i Kosovës Muriqi e ndëshkua me karton të verdhë në disfatën e Mallorcës 1:0 kundër Elches në fundjavë, i cili ishte i pesti sezonal.
Kjo nënkupton se sulmuesi prizrenas duhet ta vuajë dënimin me një ndeshje pezullim.
Mallorca përballet me Sociedadin në ndeshjen e ardhshme në La Liga dhe trajneri Javier Aguirre duhet të gjejë zgjidhje për sulmin e skuadrës në mungesë të kosovarit 28-vjeçar.
Muriqi, me 10 gola deri tani këtë sezon, është njeriu kryesor dhe i pazëvendësueshëm në Mallorca.
Statistikat janë shumë të qarta, pa Muriqin në lojë, skuadra e Aguirres e ka tejet të vështirë ta krijojë raste apo rreziqe, mbi të gjitha të shënojë gola.
Ndikimi dhe kontributi i sulmuesit kosovar është mbi bashkëlojtarët e tij dhe i pakrahasueshëm.
Muriqi i ka shënuar 10 prej 21 golave të Mallorcas deri tani këtë sezon, praktikisht 50 për qind të tyre.
Mungesa e Muriqit pritet ta detyrojë Aguirren t’i ndryshojë planet në sulmin e Mallorcas për përballjen me Sociedadin.
👺 107 años de gran 𝑯𝑰𝑺𝑻𝑶𝑹𝑰𝑨, 𝐏𝐑𝐄𝐒𝐄𝐍𝐓𝐄 y 𝑭𝑼𝑻𝑼𝑹𝑶 ❤️ pic.twitter.com/RiLqj2sl10
— Real Mallorca (@RCD_Mallorca) March 5, 2023
Abdon Prats, Angel Rodriguez, Amath Ndiaye apo Kadewere mund ta zëvendësojnë Muriqin të dielën.
Prizrenasi u shpërblye nga Komiteti Olimpik i Kosovës me Çmimin e Veçantë në një ceremoni javë më parë, për arritjet e tij me Mallorcën dhe Kosovën gjatë vitit 2022.
Muriqi pritet të jetë vendimtar edhe për Kosovën këtë muaj, e cila e nis fushatën e dytë kualifikuese për një Kampionat Evropian më 25 mars.
Kosova është pjesë e Grupit I në kualifikues për Euro 2024, së bashku me Zvicrën, Izraelin, Rumaninë, Andorrën dhe Bjellorusinë.
Verdhekaltrit do ta nisin fushatën kualifikuese si mysafirë të Izraelit më 25 mars, ndërsa tri ditë më vonë do ta presin Andorrën në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë.