Futbollisti i Trepçës 89′, Ardian Muja para tetë ditësh pësoi lëndim të rëndë në ndeshjen ndaj Dritës, e cila ishte e vlefshme për Superligën e Kosovës.Muja i cili pas një dueli me portierin e Dritës, Faton Maloku pësoi dëmtim të rëndë, ku kishte çarje të veshkës.
Ai vazhdoi ndeshjen deri në fund dhe më pas kishte dhimbje, ku edhe u detyrua të shkonte për tretman fillimisht në Mitrovicë, e më pas u detyrua të vazhdonte në QKUK në kryeqytet.
“Rikuperimi është duke shkuar mirë sipas protokolit të doktorëve, fillimisht siç shihet edhe në video incizim në përplasje me portierin e Dritës (Maloku) pësova lëndim të rëndë, por që fillimisht nuk mendova që u lëndova kq shumë, e që vazhdova lojën edhe 28 minuta duke përfshirë edhe shtesën, mirëpo që pas ndeshjes dhimbjet ishin të mëdha dhe u drejtova fillimisht për spital në Mitrovice dhe më pastaj me analizat e bëra më shoqëruan për në QKUK në Prishtinë”, tha fillimisht Ardian Muja për ‘GazetaBlic Sport’.
Fatmirësisht, Muja nuk kishte nevojë për t’u operuar pas këtij dëmtimi që pësoi.
“E mira e gjithë kësaj është qe nuk kam pas nevojë për intervenim dhe kjo ka rëndësi shumë pasi shpresoj që rikuperimi do të jetë edhe më i shpejtë e më i lehtë për mua”, vazhdoi ai.
Futbollisti i talentuar kosovar potencon se klubi i tij, kryesia, trajnerët dhe lojtarët i qëndruan afër gjatë gjithë kohës, teksa edhe Maloku e telefonoi për ta pyetur për gjendjen.“Po si kryesia e klubit ashtu edhe trajnerët, e poashtu edhe bashkëlojtarët kanë shpreh interesim për mua ku me kanë vizituar në QKUK dhe janë shpreh të gatshëm për ndihmë dhe çkado tjetër. Edhe Faton Maloku më telefonoi për të më pyetur për gjendjen time. Më qëndruan afër dhe i falënderoj përzemërsisht”, theksoi ai.
Në fund, Muja thotë se ka synim të kthehet sa më shpejtë që t’i ndihmojë klubit, teksa edhe falënderon doktorët për korrektësinë dhe kujdesin ndaj tij.
“Shpresoj që do të kthehem për ndeshjet në vijim, çdoherë në konsultim me doktorët që e kanë përcjell gjendjen time, me çka i falënderoj edhe ata për tretmanin dhe korrektësinë ndaj meje si futbollist”, përfundoi Muja.