Kombëtarja e Kosovës e ka zhvilluar sot në Kampin Nacional në Hajvali stërvitjen e fundit para udhëtimit për në Izrael, ku të shtunën do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të ciklit kualifikues për Euro 2024.
Stërvitjen e sotme përzgjedhësi Alain Giresse e ka shfrytëzuar për ta shpalosur në praktikë idenë dhe skemën e lojës kundër izraelitëve.
Të gjithë futbollistët gëzojnë shëndet të mirë dhe e presin ma pa durim paraqitjen e parë në këtë fushatë kualifikuese, e ku objektivi i të gjithëve është kualifikimi në Evropianin që verën e vitit të ardhshëm do të mbahet në Gjermani.
Deklaruan pas stërvitjes:
Arbnor Muja: “Është hera e parë që jam me ekipin kombëtar. Është një ndjenjë shumë e mirë të jem pranë këtyre lojtarëve, pranë kombëtares dhe vendit që jam rritur. Ndihem shumë i privilegjuar të jem në këtë mes. Është një ndjenjë të cilën kam pritur ta përjetoj edhe më herët mirëpo s’ka qenë koha e duhur, por tash mendoj se është diçka fenomenale. Kemi një grup shumë të mirë lojtarësh dhe të dëshmuar edhe në ekipet e tyre, derisa bashkë me stafin e trajnerëve po përgatitemi shumë mirë për ndeshjet kundër Izraelit dhe Andorrës. Besoj në këtë grup dhe në rezultate pozitive në të dyja ndeshjet”.