Urim Statovci është një nga sulmuesit më të spikatur të Ligës së Parë të Kosovës.
Sulmuesi i Ulpianës i cili më parë ishte pjesë edhe skuadrave si Fushë Kosova e Vushtrria, këtë edicion po shkëlqen duke shënuar gjithsej 13 gola dhe dhuruar poashtu 5 asistime, shkruan GazetaBlic Sport.
Statovci në tre ndeshjet e fundit ka shënuar 4 gola (2 ndaj Arbërisë, një në derbin ndaj Vushtrrisë dhe së fundmi edhe ndaj KF Ramiz Sadikut.)
Statovci në një intervistë për GazetaBlic Sport ka treguar për formën e tij të mirë dhe synimet personale dhe kolektive me klubin e Ulpianës.
“Forma është e mirë për momentin, kemi punuar shumë në fazën përgaditore me stafin e trajnerëve që na ndihmojnë shumë. Poashtu kemi edhe përkrahje nga kryesia. Sa i përket golave mundohem që të shënoj në çdo ndeshje që ta ndihmoj ekipin për fitore“, tha ai.
Duke folur për eksperiencën e tij edhe në klubet e tjera si Fushë Kosova dhe Vushtrria ai tha se në të gjitha ekipet ku ka luajtur ka cilësi, por thotë se beson që Ulpiana do të arrijë të promovohet në Superligë.
“Dallimi nuk është i madh pasi në të gjitha këto skuadra ka cilësi dhe kanë strategjitë e tyre. Mendoj se Ulpiana në fund do të rikthehet në Superligë pasi e meriton dhe i plotëson të gjitha kushtet për ta bërë këtë“, shtoi Statovci.
Ulpiana pozicionohet në vendin e dytë pas 18 xhirove në grupin B të Ligës së Parë me 37 pikë, dy më pak se lideri Fushë Kosova që kryeson tabelën me 39 pikë.