Gara për mbijetesë në Superligën e Kosovës sa vjen e bëhet më e ashpër, ku pothuajse gjysma e ekipeve kanë të njëjtin objektiv. Nga këto skuadra mes tyre janë edhe Trepça’89 dhe Ferizaj që nesër do të përballen mes vete. Gazeta Metro ka kontaktuar me mesfushorin e mitrovicasve, Rilind Nimani, i cili shpreson që faktori vendas do t’i ndihmojë atyre të arrijnë pikët e plota.
Trepça’89 dhe Ferizaj nesër do të takohen në ‘Riza Lushta’ në Mitrovicë me fillim nga ora 13:00 në kuadër të xhiros së 25’të të elitës së futbollit kosovar.
Si njëra ashtu edhe tjera vijnë pas fitoreve në mesjavë kundër Drenicës, respektivisht Llapit dhe pritet të jetë një ballafaqim tejet interesant, marrë parasysh edhe pozitat në të cilën gjenden në tabelë.
Nimani nuk e nënçmon aspak skuadrën kundërshtare, duke thënë se në organikën e saj kanë futbollistë cilësor.
”Unë mendoj që pozita që aktualisht e kemi në tabelë na imponon që të luftojmë çdo lojë për 3 pikë në mënyrë që të largohemi nga kjo zonë e rrezikshme. Ferizaj ka një ekip mjaft kualitativ dhe e di që nuk do të jetë e lehtë fitorja, mirëpo nesër do të luajmë në shtëpinë tonë dhe mendoj se kjo është një avantazh për ne,” tha ai për Gazeta Metro.
Ai thotë se janë jashtë mase të motivuar për duelin e radhës, pasi morali ju është ngritur me fitoren kundër Drenicës. Siç thekson 24-vjeçari deri në fund do të japin më të mirën për të nderuar klubin, fanellën dhe tifozët.
”Edhe pse ky orar i lojërave ka qenë mjaft i ngarkuar dhe koka për rikuperim total ndonjëherë edhe nuk mjafton, tani që morali është ngritur me lojën e fundit, mendoj që jemi super të motivuar kundër Ferizajt.”
”Mendoj që të gjitha këto xhirot e fundit janë shumë të rëndësishme për ne sepse orari na ka mundësuar që të përballemi me kundërshtarët direkt lojë pas loje. E gjitha çfarë mund të them është se do të luftojmë çdo lojë dhe do japim atomin e fundit për të nderuar klubin, fanellën dhe të gjithë dashamirët që na kanë përkrahur dhe do na përkrahin deri në fund,” tha ai.
Në fund, Nimani potencon se sipas tij arsyeja që Trepça’89 nuk e pati një nismë të mbarë të stinorit pranveror është se nuk kishte fat. Ai falënderon kryesinë dhe stafin e trajnerëve për mbështetjen e dhënë gjatë kësaj kohe.
”Kjo fitore ishte mjaft e rëndësishme për ne pasi që po kalonim një fazë jo të mirë të rezultateve sepse mendoj që po jepnim maksimumin çdo lojë, po krijonim raste dhe nuk kishim fat deri në fund. Mendoj se një falënderim e meriton edhe kryesia dhe stafi i trajnerëve që gjatë gjithë kësaj kohe na kanë mbështetur në mënyrë që të mos dëshpërohemi dhe të mbajmë kokën lartë. E gjitha kjo rezultoi pozitivisht pasi që morëm pikët e plota ndaj një Drenice e cila vinte nga një fitore nga loja paraprake,” përfundoi ai për Gazeta Metro.
Pas 24 xhirove, Trepça’89 renditet në pozitën e shtatë në renditjen tabelore me 26 pikë, dy më shumë se Ferizaj që gjendet në vendin e parafundit.
Kujtojmë se nesër do të zhvillohet edhe ndeshja tjetër që pritet të ngjallë interesin e publikut, ajo mes Dukagjinit dhe Drenicës.