Agron Kolaj, 21-vjeçar, i lindur në Gjakovë, po shkëlqen me paraqitjet e tij tek skuadra e Prishtinës.
Transferimi i tij te Prishtina erdhi në janar të këtij viti, ndërsa më herët në Kosovë ishte pjesë edhe e KF Llapit dhe Besës së Pejës.
Portieri i gjatë 1.93 metra, debutoi ndaj Llapit, kurse tregoi paraqitje të mirë edhe në ndeshjen ndaj Ballkanit.
Në një intervistë për ‘GazetaBlic Sport’, Kolaj u shpreh tejet i kënaqur, duke thënë se është privilegj për të që të jetë në portën e Prishtinës.
“Normalisht ndihem shumë mirë, të mbrosh portën e FC Prishtinës është kënaqësi, privilegj dhe përgjegjësi shumë e madhe”, tha fillimisht ai.
Më pas, Kolaj u pyet edhe për pritshmëritë e tij për të ardhmen, me fokus edhe tek realizimi i ëndrrës së madhe që një ditë të jetë pjesë e Kombëtares A të Kosovës.
“Pritshmëritë janë që të arrijmë sa më shumë me klubin, nga ana individuale, që të kemi paraqitje sa më të mira që një ditë të pres ftesë nga Kombëtarja A e Kosovës“, përfundoi ai.