Humbja 3-1 në Pragë ndaj Republikës Çeke në ndeshjen e parë të grupit E, tronditi dhe jo pak Poloninë e trajnerit Fernando Santos. Debutim i hidhur për teknikun luzitan që tashmë duhet të bëjë llogaritë me një tjetër ndeshje të vështirë, atë ndaj Shqipërisë në datën 27 në stadiumin e Varshavës.
Trajneri kampion Europe nuk e bën dramë disfatën në Çeki por kërkon kujdes ndaj kuqezinjve pasi një tjetër hap fals mund t’i kushtojë shumë ekipit bardhekuq. Në konferencën e shtypit, ai theksoi:
“Ne duhet të qetësohemi, t’i themi vetes se çfarë nuk funksionoi dhe të përgatitemi. Ne nuk mund të përgjigjemi me zemërim. Duhet të luajmë më mirë, të jemi të fokusuar. Jam i sigurt se ekipi do të paraqitet më mirë”.
Në viim, Santos u ndal edhe te disfata e parë duke marrë përgjegjësitë por gjithsesi e cilësoi disi të çuditshme përballjen e Pragës.
“Kjo ndeshje ishte pak e çuditshme. Ekipi dukej shumë i përgatitur dhe i përqendruar. Skuadra e dinte se rivëniet ishin pika e fortë e çekëve. Është e vështirë të reagosh kur pëson kaq shpejt. Përgjegjësia i takon gjithmonë trajnerit. Detyra ime është të ruaj besimin te ekipi. Ne duhet të analizojmë atë që ndodhi, gjithashtu çfarë ishte e mirë kur kemi arritur të krijojmë raste”.