Një nga lojtarët më të përmendur aktualisht në Rumani është Ermal Krasniqi. Paraqitjet e tij fantastike me CFR Cluj kanë bërë që disa skuadra italiane, mes tyre edhe Lazio të interesohen për anësorin kosovar. Rreth raportimeve të fundit ka folur vetë presidenti i klubit rumun, Cristi Balaj, transmeton Gazeta Metro.
Siç thuhet nga mediat rumune ditëve të fundit drejtuesit e CFR Cluj janë të vetëdijshëm se është vetëm çështje kohe derisa Krasniqi të largohet nga Rumania.
Cristi Balaj është shprehur i bindur që mund ta mbajnë 24-vjeçarin në Gruia edhe sezonin e ardhshëm. Megjithatë, thekson se nëse vjen ndonjë ofertë joshëse atëherë nuk mund t’i rezistojnë.
”Unë them se po, ne mund ta mbajmë atë, por mbetet për t’u parë sepse kur vjen një ofertë joshëse është e vështirë t’i rezistosh. Nuk po na befasojnë paraqitjet e tij sepse e shohim edhe në stërvitje. Ajo që më pëlqen është modestia e tij,” ka thënë ai për emisionin ‘Fanatik Superliga’.
Kujtojmë se Ballkani në janar e shiti Krasniqin për shumën e 300 mijë eurove për shkak se do t’i skadonte kontrata në verë dhe zotëron gjithashtu 15% të një transferimi të mundshëm.
Futbollisti nga Tërpeza e Malishevës ka realizuar katër gola dhe ka dhënë një asistim në nëntë ndeshjet e luajtura për CFR Cluj në Superligën e Rumanisë.