Sulmuesi i Prishtinës, Jalen Blesa është njëri prej shumë sportistëve të Kosovës që i përmbahet plotësisht agjërimit gjatë muajit të madhërishëm të Ramazanit. Por ai ka diçka më të veçantë se të tjerët. E veçanta e tij është se ai nuk i përket asnjë feje. Kështu të paktën thotë vetë lojtari i Prishtinës. Ai thotë se familjarët e tij janë katolikë. Blesa është 22-vjeçar. U lind në Barcelonë të Spanjës, ndërsa prindërit i ka nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai insiston se i përket nacionalitetit spanjoll.
“Familja ime është katolike, por unë ende nuk kam vendosur se çfarë është më e mira për mua. Kam shumë respekt për myslimanët dhe fenë e tyre, megjithatë unë personalisht nuk e praktikoj. Nuk do të thosha se i takoj një besimi të veçantë”, ka thënë Blesa të mërkurën.
Prejse ka filluar Ramazani, Blesa i ka luajtur agjërueshëm ndeshjet për Prishtinën. Nuk e ka prishur agjërimin asnjë ditë. Madje, as në ndeshje. Agjërueshëm ishte edhe në ndeshjen kthyese gjysmëfinale të Kupës së Kosovës ndaj Vushtrrisë. Blesa dha kontribut me asistim në fitoren e thellë 6:0, ndonëse në fushë u inkuadrua në pjesën e dytë. Sulmuesi e pati ndihmuar Prishtinën të avancojë në çerekfinale të Kupës. Prishtina e kishte eliminuar Dukagjinin, ndërsa spanjolli shënoi dy gola dhe kontribuoi me një asistim, shkruan Koha.
“Shkencërisht, përfitimet e agjërimit janë të ditura tashmë. Për mua personalisht nuk ka qenë aspak vështirë të agjëroj. Kam presion që ta prish agjërimin gjatë ditëve të ndeshjeve, sepse mendojnë se niveli im i lojës mund të bjerë për shkak të agjërimit, por kjo nuk është aspak e vërtetë. Në fakt, besoj se ka efekt të kundërt. Ndihem më mirë”, është shprehur ai.
Këtë vit, Ramazani ka nisur muajin e shkuar, më datën 22 mars dhe do të përfundojë më 21 prill. Sportistët që i përmbahen agjërimit nuk guxojnë të ushqehen apo të pinë ujë gjatë ditës, saktësisht prej lindjes së diellit deri në perëndimin e tij.
“Shoqëria ime myslimane më këshillon që të zgjohem për syfyr dhe të ushqehem edhe me lëngje në mënyrë që të jem më mirë gjatë ditës dhe të paraqitem në nivelin optimal. Kam shumë vite që agjëroj me shokët e mi myslimanë. Jam profesionist dhe nuk do të bëja asgjë që të ma ulë performancën. Nëse agjërimi do të më bënte më të dobët ose nuk do të mund të paraqitesha në nivelin më të lartë, nuk do të agjëroja çdo ditë, ose nuk do të agjëroja në ditët e ndeshjeve”, ka thënë Blesa.
Blesa po ndihet mirë në Kosovë, ndërsa thekson se si në Istog e Rahovec, ashtu edhe në Prishtinë është pritur shumë mirë.
“Në klubin tim të kaluar në Kosovë kam jetuar në të njëjtën shtëpi me disa myslimanë të tjerë dhe afërsia, bashkimi që unë kam parë gjatë lutjeve dhe ngrënieve së bashku, është diçka që ka ndikuar pozitivisht në mua”, ka thënë Blesa.
Ai është zhvilluar te klubi Arlesey Town të Anglisë. Thotë se për herë të parë agjërimin e ka nisur në Angli.
“Me Ramazan dhe agjërim jam përballur edhe në shkollën e mesme në Angli. Jam rritur në Luton, që është qytet multikulturor. E kam parë shoqërinë duke agjëruar, kështu që kam agjëruar me ta në shenjë solidariteti. Pasi kam qenë i rrethuar nga komuniteti mysliman në Luton, unë po ashtu kam qenë dëshmitar i aspektit pozitiv në familje gjatë Ramazanit, pasi i gjithë komuniteti është mbledhur së bashku. Kjo është diçka që unë me të vërtetë e çmoj dhe e respektoj”, ka thënë Blesa.
Ai nuk përjashton mundësinë që një ditë të përcaktohet për fenë myslimane. Por thotë se do të vendosë kur të jetë koha e duhur. Blesa ndihet krenar që është pjesë e Prishtinës, ekip me të cilin ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2025.