Ky sezon në Albi Mall Superligën e Kosovës nga shumë njohës po konsiderohet si më miri viteve të fundit, për faktin se gjitha skuadrat janë brenda objektivave.
Dy po luftojnë për titull, garë e fortë është edhe për Evropë dhe mbijetesë, ku asnjë skuadër nuk i ka humbur gjasat për t’i arritur objektivat që kishin në fillim të sezonit.
Por vazhdon të jetë një problem i madh ndarja e drejtësisë në futbollin kosovar, ku gjyqtarët edhe këtë edicion po marrin vëmendjen edhe pse askush nuk ua kërkon një gjë të tillë.
Gabime skandaloze ka pasur gjatë këtij edicioni në futbollin kosovar, gabime që shpesh herë kanë shkuar në heshtje, ose minimumi gjyqtarët janë dënuar me një ose dy ndeshje mos delegim.
Këtë sezon kemi parë gola të çuditshëm që janë pranuar në elitën e futbollit kosovar. Gola që janë shënuar edhe kur topi ka dalë jashtë vijës anësore, apo edhe pas ndalesës së ndeshjes.
Mos të flasim për gola nga pozita jashtë loje që janë pranuar apo penallti të dhëna në mënyrë skandaloze e në raste penallti të pastra të mos akorduara.
Nuk ka skuadër që ka mbetur pa u ankuar këtë edicion në ndarjen e drejtësisë nga gjyqtarët dhe këtu qëndron problemi. Po bëjnë gabime sepse nuk dinë, apo po zbatojnë urdhra dhe gabimet janë të qëllimshme dhe tendencioze?
VAR ka ardhur në Kosovë, por gjyqtarët shpesh herë edhe po e injorojnë atë duke i besuar bindjes së tyre edhe pse pas ndeshjeve po kuptohet që e kanë pasur gabim.
Madje zyrtarë të klubeve, trajnerë e futbollistë janë dënuar vetëm pse kanë protestuar shpesh herë edhe me drejtë për gabimet e gjyqtarëve.
Elita e futbollit kosovar çdo javë e më interesante po bëhet, pasi jemi futur në fazën finale të kampionatit.
Por shpresojmë që gjyqtarët të reflektojnë, të hapin sytë dhe mos të bëjnë gabime për ta prishur një kampionat spektakolar që po zhvillohet.