Trajneri i Mallorcas, Javier Aguirre thotë se sulmuesi Vedat Muriqi ka kërkuar falje te bashkëlojtarët dhe stafi për gjestin e bërë pas zëvendësimit.
Kosovari ishte titullar në përballjen ndaj Osasunas, por bëri një paraqitje të zbehët ku si pasojë u zëvendësua në pjesën e dytë.
Sidoqoftë, ai ishte tejet i zemëruar me këtë zëvendësim dhe kjo u vërejt menjëherë pasi futbollisti goditi bankinën me shpresën për t’u ‘shfryrë’.
Mirëpo, gjërat pastaj mesa duket janë qetësuar me Muriqin që iu ka kërkuar falje stafit dhe bashkëlojtarëve.
“Muriqi nuk dukej i lumtur sepse askujt nuk i pëlqen të zëvendësohet. Por, ai kërkoi falje në dhomën e zhveshjes sa për informacionin tuaj”, deklaroi shkurtimisht ai në konferencë për shtyp pas ndeshjes.
Vedat Muriqi ka pasur rol kyç në suksesin e Mallorcas këtë edicion duke qenë në top golashënuesit më të mirë në La Liga, me 10 gola të shënuara vetëm pesë më pak se Robert Lewandowski që është lider.
Ndërkohë, deri më tani Muriqi nuk ka reaguar lidhur me këtë incident nëpër rrjetet sociale, që mesa duket është rregulluar në prapaskenë.
Muriqi ndeshjen e radhës me Mallorcan do ta zhvillojë javën tjetër kundër Real Valladolidit./nacionale