Trajneri Javier Aguirre foli në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjes kundër Real Madridit që Mallorca do ta luajë nesër. Në këtë rast ai pati disa fjalë edhe për Vedat Muriqin, për të cilin tha se ka vërejtur që ka qenë në një periudhë ankthi për shkak të gjetjes së golit.
Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, ka hyrë në një krizë të vogël sa i përket shënimit të golave. Për pesë ndeshje rresht në Laliga 28-vjeçari kosovar ka dështuar që të realizojë gol. Për Mallorcan ai ka qenë shtylla kryesore e skuadrës prej që është transferuar nga Lazio.
Një ditë para ndeshjes kundër Real Madridit, trajneri Javier Aguirre në konferencë për shtyp tregoi se ka folur me sulmuesin kosovar për këtë periudhë jo të mirë të formës që po kalon. Sipas tij atë e ka parë edhe në ankth gjatë kësaj kohe.
“I kam folur, sepse e kam parë në anth. Zakonisht u ndodh sulmuesve që kalojnë periudha të mira dhe të këqija. Nuk e di nëse kam mundur t’ia largoj ankthin, por e pashë ndryshe pas bisedës që bëmë”, tha ai.
Trajneri meksikan e pranoi publikisht se nuk ka qenë i kënaqur me atë çfarë ka treguar në fushë “Pirati” siç përshkruhet ndryshe nga tifozët e skuadrës ishullore spanjolle.
“Ia shfaqa tërë besimin që kam tek ai. Muriqi është i vetëdijshëm për rëndësinë që ka në skuadër. Në dy apo tre ndeshjet e fundit ishte ndryshe. Ishte pak i vëmendshëm në fushë”, përfundoi Aguirre.
Muriqi deri në këtë fazë të kampionatit ka shënuar tetë (8) gola dhe ka kontribuar me një (1) asist tjetër. Mirëpo, goli i fundit në Laliga daton më 9 nëntor të vitit të kaluar.
Ndërkaq sa i përket Real Madridit, sulmuesi “dardan” kishte arritur që të realizonte gol në “Santiago Bernabeu”, në sfidën që më 11 shtator Real Madridi e fitonte me rezultat 4:1./Nacionale