Tashmë gati të gjitha skuadrat e Superligës së Kosovës kanë filluar përgatitjet për sezonin pranveror. Së fundmi skuadra që ka nisur përgatitjet është ajo nga Mitrovica, Trepça ‘89.
Trajneri i skuadrës mitrovicase, Shpëtim Idrizi, në një intervistë të shkurtër me “Zërin” tregoi se si do të rrjedhë faza për përgatitjet e stinorit pranveror.
“Fazën përgatitore e kemi filluar më 5 janar, fazën e parë do ta kryejmë këtu në Mitrovicë, kurse fazën e dytë më 16 janar do të shkojmë në Shqipëri”, tha fillimisht trajneri.
Idrizi konfirmoi se do të ketë edhe disa ndeshje miqësore për të parë situatën e ekipit.
“Atje do të kemi disa ndeshje miqësore dhe të shikojmë se ku është momentalisht ekipi, në cilën gjendje është sa i përket parafillimit të kampionatit”, vazhdoi trajneri mitrovicas.
I pyetur se a ka mungesa në ekip për këto përgatitje, Idrizi tha: “Jo, jo nuk ka mungesa, për momentin thuajse gati ekipi është kompletuar, kemi marrë disa lojtarë, ku për momentin nuk mundemi me i bë publike, por me kalimin e kohës faqja zyrtare e klubit do të njoftojë opinionin për lojtarët të cilët i kemi marrë”.
41-vjeçari tregoi edhe për atmosferën në ekip, për të cilën tha se është shumë e mirë, pasi dëshira dhe vullneti për punë nuk po mungon te djemtë e tij.
“Atmosfera e mirë është, shihet një grup shumë homogjen i lojtarëve ku nuk mungojnë dëshira, vullneti për punë dhe besoj që Trepça ’89 do t’i arrijë ambiciet e saj”.
Trajneri konfirmoi se largime nuk do të ketë në skuadër.
“Largime jo, largime ka pas më herët qysh pas përfundimit të kampionatit, pra largime tjera nuk ka, ajo që kemi menduar, ata lojtarë të cilët nuk kemi dashur të bashkëpunojmë me ta i kemi larguar, por largime tjera nuk do të ketë, mundet të ndodhë ndonjë afrim, por largime jo”.
Trepça ’89 e mbylli sezonin vjeshtor në vendin e parafundit në tabelë me 19 pikë. Trajneri tregoi synimet e tij për pjesën tjetër të mbetur të sezonit, ku u shpreh bindshëm që Trepça ’89 do të mbetet në Superligë.
“Po nëse shikojmë realisht ndeshjet të cilat i kemi zhvilluar, normal që është dashur të ketë më shumë pikë, ndoshta pak jemi penalizu, sidomos në fazën defensive, por unë mendoj që Trepça ’89 sezonin pranveror do të jetë një Trepçë më ndryshe dhe mendoj shumë dhe jam i bindur që Trepça ’89 do të jetë prapë në Superligë”, deklaroi Idrizi.