UEFA ka thënë se po vazhdon ta vëzhgojë gjendjen e katandisur në Federatën e Futbollit të Kosovës, pasi kreu i saj Agim Ademi u arrestua dhe po hetohet për korrupsion bashkë me disa zyrtarë të tjerë të federatës.
Zyrtarë të UEFA-s dhe FIFA-s e vizituan të hënën FFK-në, pas krizës që e ka kapluar futbollin vendor, pasi përveç hetimeve mbi dyshimet për korrupsion ndaj saj, federata e futbollit nuk është licencuar ende në Ministrinë e Sportit.
UEFA nuk deshi të flasë për hollësitë rreth takimit dhe kur u pyet nga Gazeta Nacionale për hetimet ndaj FFK-në për korrupsion, tha se është duke vazhduar ta vëzhgojë gjendjen.
“UEFA është duke e vëzhguar gjendjen dhe është në kontakt të afërt me Federatën e Futbollit të Kosovës”, tha UEFA.
Ndërkohë, dje pas takimit FFK-ja njoftoi se zyrtarët e saj dhe të shtëpisë së futbollit evropian biseduan për telashet e saj për t’u licencuar në Ministrinë e Sportit të Kosovës.
Ajo nuk tregoi nëse është biseduar edhe për çështjet e tjera shumë të rëndësishme.
Policia për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në bashkëpunim me Prokurorinë e Prishtinës janë duke i hetuar Ademin bashkë me disa zyrtarë të tjerë për korrupsion në shtëpinë e futbollit.
Ata dyshohen për dy vepra penale, “keqpërdorim të besimit” dhe “shmangie nga tatimi”.
Ademi, 61 vjeç, u vendos në arrest shtëpiak njëmujor më 23 mars.
Pjesë e takimit të djeshëm me zyrtarë të UEFA-s e FIFA-s ishte edhe Tahir Batatina, trajneri dhe njëri nga pronarët e Llapit, klubit të Superligës që dyshohet për kurdisje në Francë, ku u arrestuan nëntë persona së fundmi në lidhje me këtë rast.
UEFA nuk deshi të komentojë as mbi këtë rast në këtë kohë.
Ndërkohë, dështimi i FFK-së për t’u licencuar u ka kushtuar shumicës së klubeve, të cilat varen nga ligji për sponsorizim.
Derisa FFK-ja nuk është e licencuar, asnjë klub i futbollit në vend nuk mund të përfitojë nga ligji për sponsorizim, i cili është tejet i rëndësishëm për mirëqenien financiare të tyre.
Që nga dhjetori klubet nuk kanë mundur të përfitojnë nga ky ligj, i cili i liron investitorët e klubit të përfitojnë nga zbritja prej 30% nga tatimi. /nacionale