Mesfushori me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka e ka vlerësuar trajnerin e tij tek Arsenal, Mikel Arteta. Ai ka thënë se gjatë karrierës ka pasur mjaft shumë trajnerë por asnjëherë një si Arteta, transmeton Gazeta Metro.
Xhaka e ka përshkruar trajnerin e ‘Topçinjve’ si ”shumë të veçantë” dhe beson se spanjolli e ka dëshmuar se ata që kanë dyshuar tek ai e kanë gabim pasi u supozua se do të shkarkohej pas një fillimi katastrofik të sezonit të kaluar.
Arsenal humbi tre ndeshjet e para pa shënuar gol, pasi u mposht nga Brentford, Chelsea dhe Manchester City.
”Sezonin e kaluar, ne humbëm tre ndeshjet e para të sezonit. Disa njerëz ishin tashmë në fund të durimit të tyre. Por tani e shini se çfarë mund të ndodh kur i jepni kohë një trajneri. Në fund të fundit, kjo është detyra e tij e parë si trajner. Ai është shumë i veçantë,” tha Xhaka për 20 min.
Tutje, reprezentuesi zviceran thotë se 40-vjeçari është i fokusuar vetëm në futboll, derisa e lartësoi edhe si person jashtë fushave të blerta.
”Kam pasur shumë trajnerë në karrierën time, por kurrë një si Arteta. Ai duket sikur është i fokusuar vetëm në futboll 24 orë në ditë. Ai gjithmonë ka një plan A, B dhe ndoshta dhe një plan Z. Por ai nuk është vetëm në krye taktikisht, por ai është gjithashtu i lartë si person,” tha ai.
Skuadra nga Londra Veriore aktualisht radhitet në pozitën e parë në Premier League me 50 pikë dhe është në një rrugë të mirë për t’u shpallur kampion në Angli pas 19 viteve.
Pengesa e tyre e vetme deri në fund me gjasë do të jetë Manchester City i Pep Guardiolas që viteve të fundit e ka ‘privatizuar’ kampionatin. ‘Citizens’ janë në vendin e dytë me 45 pikë, por kanë një ndeshje më shumë se ‘Topçinjtë’. /gazetametro.net