Amir Rrahmani dhe Napoli janë në rrugë të mbarë për ta nënshkruar kontratën e re.
Të dyja palët janë të interesuar për ta vazhduar bashkëpunimin dhe gjithçka ka mbetur të kryhet pasi ylli kosovar ta nënshkruajë të zezën mbi të bardhë.
Mediat italiane shkruajnë se 29 vjeçari do të nënshkruajë kontratë të re trevjeçare, deri më 2027, derisa ajo aktuale do t’i skadojë në vitin 2024.
Ish-futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe i Veronës po shfaq stabilitet në mbrojtjen napolitane dhe trajneri Luciano Spalletti i ka meritat më të mëdha për ngritjen e përfaqësuesit kosovar.
Për këtë arsye, lideri i Serie A e ka ndërmend ta “blindojë” Rrahmanin me një kontratë afatgjate, në mënyrë që t’i “tremb” klubet që duan t’ia marrin lojtarin, shkruan portali italian “Tuttomercatoweb”, përcjell “Gazeta Express”.
Edhe vetë Rrahmani është i interesuar të qëndrojë në Napoli, ku është bërë lider i mbrojtjes.
Atij pritet t’i rritet rroga me kontratën e re, e cila mund të shkojë deri në 2,5 milionë euro në vit.
Krahas shkëlqimit në Serie A, Napoli po i mahnit të gjithë edhe në Ligën e Kampionëve dhe për këtë pa dyshim se merita të mëdha ka edhe shtylla e mbrojtjes së këtij ekipi.