Raportimet nga mediumet shqiptare se Trepça’89 ka arritur marrëveshje për shitjen e sulmuesit, Christian Mba, te Partizani i Tiranës i ka mohuar presidenti i mitrovicasve, Abedin Zeka. Ai në një prononcim për Gazeta Metro ka thënë se momentalisht asgjë nuk ka të vërtetë.
Skuadra e famshme nga Shqipëria shumë shpejt pritet të mbetet pa sulmuesin e tyre kryesor, Xhuliano Skuka, i cili thuhet se gjatë orëve në vijim do të transferohet te skuadra franceze, Metz.
Zëvendësues potencial të Skukës siç u raportua drejtuesit e Partizanit e kanë parë Christian Mba, që këtë edicion ka shkëlqyer në Superligën e Kosovës.
Mirëpo, një marrëveshje mes klubeve për Gazeta Metro e ka mohuar shkurtimisht presidenti, Abedin Zeka.
”Jo nuk ka asgjë të vërtetë për momentin,” tha ai.
Ai zbuloi se për 23-vjeçarin janë të interesuara disa ekipe nga liga të njohura si Turqia, Çekia dhe Kroacia, teksa potencoi se një largim i tij në janar nga ‘Minatorët’ është i mundshëm.
”Po kjo është e vërtetë se ka shumë ekipe nga vende të huaja që janë të interesuara nga Turqia, Çekia dhe Kroacia. Ka gjasa që të largohet gjatë janarit,” tha ai për Gazeta Metro.
Mba gjatë stinorit vjeshtor në elitën e futbollit kosovar ka qenë një nga futbollistët më të spikatur.
Ai ka shënuar dhjetë gola në 18 paraqitje, kurse ka dhuruar edhe pesë asistime.